Sot e diel, me 4 tetor 2026, në Xhaminë e Epërme në Reçicë të Madhe, në një atmosferë të veçantë festive dhe shpirtërore, u mbajt ceremonia solemne e duasë së hifzit për hafizen e re, Semire Zulqufli Seferi.

Hfz. Semire Zulqufli Seferi ka lindur më 8 tetor 2004 në Reçicë të Madhe, Komuna e Tetovës. Rrugëtimin e saj të bekuar në mësimin përmendësh të Kur’anit Fisnik e filloi më 19 qershor 2022 te muhafidhi i saj, Abdurahman ef. Asllani, ndërsa e kurorëzoi me sukses më 4 shtator 2026, në qendrën e hifzit „Molla Mahmud ef. Asllani“.

Provimin e hifzit e kreu me sukses mes datave 7, 11 dhe 14 shtator 2026, para Komisionit të Hifzit pranë BFI – Myftinisë së Tetovës, në përbërje:

Hfz. Ibrahim Alija – kryetar

Hfz. Emin Beadini – anëtar

Hfz. Elvira Halimi – anëtare

Këtë solemnitet të veçantë, me praninë e tyre, e nderuan Reisul Ulema i BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver Xhemaili, me bashkëpunëtorë, koordinatori i Medresesë Isa Beu në Tetovë "Dr. Beqir ef. Memeti, drejtori i institutit të hifzit në Sarajevë Dr. Xhemal Muslih, përfaqësues të institucioneve të BFI-së, profesorë, hoxhallarë, si dhe familjarë, miq e xhematlinj të shumtë.

Në fillim të programit, kryetari i Komisionit të Hifzit, hfz. Ibrahim Alija, paraqiti rrjedhën e provimit dhe suksesin e dalluar të treguar nga hafizja e re. Më pas, të pranishmëve iu drejtua imami i xhamisë hoxhë Emin ef. Mahmudi i cili uroi mirëseardhje mysafirëve, Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver Xhemaili, në fjalën e tij, përgëzoi hafizen, familjen Seferi dhe muhafidhin për këtë arritje madhore, duke vlerësuar lart mundin, disiplinën dhe përkushtimin shumëvjeçar.

Fjalën e rastit e mbajti Reisul Ulema i BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili theksoi rëndësinë dhe vlerën e pamatshme të mësimit të Fjalës së Allahut, duke vënë në dukje se bartja e Kur’anit në zemër është nder, amanet dhe dritë për tërë shoqërinë.

Duanë e hifzit e bëri hfz. Xheladin ef. Jusufi, gjersa programin e moderoi sekretari i Myftinisë, Semir ef. Fazliji.

Në shenjë vlerësimi për arritjen e këtij suksesi madhor, hafizes së re iu dorëzua certifikata e hifzit nga Myftinia e Tetovës, e cila do të shndërrohet në diplomë zyrtare gjatë ceremonisë qendrore të organizuar nga Rijaseti i BFI-së. Po ashtu, u ndanë mirënjohje dhe dhurata për hafizen dhe muhafidhin e saj, Abdurahman ef. Asllani, në shenjë falënderimi për punën dhe kujdesin e treguar.

Myftinia e Tetovës shpreh urimet më të ngrohta për hfz. Semire Zulqufli Seferin, familjen e saj dhe muhafidhin Abdurahman ef. Asllani, duke e lutur Allahun e Madhërishëm që Kur’anin Famëlartë ta bëjë udhërrëfyes të jetës së saj dhe ndërmjetësues në Ditën e Gjykimit.

Allahu e begatoftë hafizen e re, ia shtoftë dijen dhe e bëftë shembull të mirësisë e devotshmërisë për gjeneratat e reja!

Urime hafizes së re! Urime familjes Seferi, muhafidhit dhe xhematit të Reçicës së Madhe!