MR. AMAR EF. JAKUPI EMËROHET MUALIM DHE ZV. IMAM NË XHAMINË MUHAREMÇE
Gjatë manifestimit të djeshëm të hatmes në Xhaminë Muharemçe, u bë edhe dorëzimi zyrtar i autorizimit të punës për hoxhën Mr. Amar ef. Jakupi, i cili me pëlqimin e xhematit, kolegëve të tij dhe të këshillit të xhamisë u emërua mualim dhe zëvendësimam në këtë xhami.
Amar efendiu vjen në këtë pozitë pas pensionimit të babait të tij, hoxhës së nderuar Jusuf ef. Jakupi, i cili i shërbeu me përkushtim kësaj xhamie për plot 41 vite. Dokumentin e autorizimit, që do të pasohet me vendimin e punës, e dorëzoi vetë Reisul Ulema i BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahi. Në fjalën e tij të rastit, Reisul Ulema theksoi se Amar efendiu është një kuadër shumë i përgatitur, duke i uruar suksese në emrin e tij dhe duke shprehur dëshirën që ai të vazhdojë denjësisht hapat e babait të tij.
Po ashtu, mirëseardhje të ngrohtë dhe urime të përzemërta i shprehu edhe imami i Xhamisë Muharemçe, Shafi ef. Ajdini, i cili i uroi punë të mbarë dhe bashkëpunim të frytshëm në shërbim të xhamisë dhe xhematit.
Biografia dhe profili akademik i Mr. Amar ef. Jakupit:
I lindur më 22.08.1994 në qytetin e Tetovës, Amar Jakupi ka përfunduar shkollën fillore “Istikball” në Tetovë, ndërsa shkollën e mesme në Medresenë “Isa Beu” në Shkup. Studimet universitare i ka kryer në Universitetin e Jordanisë në Aman, në degën Jurisprudencë Islame dhe Bazat e saj. Së fundmi, ka përfunduar me sukses edhe studimet master, bashkë me mbrojtjen e temës së diplomës në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.
Gjatë veprimtarisë së tij të deritanishme, ka shërbyer si imam i rregullt në Xhaminë e Re në fshatin Tenovë, si dhe në cilësinë e imamit dhe hatibit të përkohshëm në disa xhami brenda vendit dhe në diasporë, konkretisht në Tetovë, Zvicër dhe Gjermani. Ndër xhamitë ku ka kontribuar janë:
Xhamia Shqiptare “Winti”, Winterthur – Zvicër;
Xhamia Shqiptare “El Buhari”, Somborn – Gjermani;
Xhamia Flawil-AKF, Zvicër (në dy raste, nga tre muaj);
Xhamia e Dardanisë, Tetovë (një muaj);
Xhamia e Re, Drenovec (gjatë dy muajve të Ramazanit).
Myftinia e BFI-së Tetovë, në emër të Myftiut të saj, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili, si dhe në emër të gjithë besimtarëve, i uron shëndet dhe suksese të mëtejshme Mr. Amar ef. Jakupit në detyrën e tij të re.




