Sot, më 3 tetor 2026, në Xhaminë e fshatit Glloboçicë të Kosovës, në një atmosferë të veçantë fetare dhe solemne, u mbajt ceremonia e duasë së hifzit për hafizen e re, Arlinda Nexhat Luma.
Hfz. Arlinda Nexhat Luma ka lindur më 9 qershor 1999 në Glloboçicë, Republika e Kosovës. Rrugëtimin e saj në mësimin përmendësh të Kur’anit Fisnik e filloi më 29 janar 2019, ndërsa e përfundoi me sukses më 15 shtator 2026, në Institutin e Hifzit pranë Xhamisë së Larme në Tetovë, nën përkujdesjen e muhafidhit të saj, hfz. Zulqufli ef. Asllani.
Provimin e hifzit e kaloi me sukses më 18, 21 dhe 24 shtator 2026, para Komisionit të Hifzit pranë Myftinisë së Tetovës, në përbërje: hfz. Xheladin ef. Jusufi – kryetar, hfz. Resi ef. Dauti – anëtar dhe hfz. Eliza Emini – anëtare.
Hafizja e re ka përfunduar Medresenë “Isa Beu” në Tetovë, ndërsa studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e Mjekësisë.
Këtë solemnitet të veçantë, me praninë e tyre, e nderuan Reisul Ulema i BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai; kryetari i Këshillit të BIK-ut në Kaçanik, Fidaim ef. Fazliu, me bashkëpunëtorë; Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver Xhemaili, me bashkëpunëtorë; profesorë, hoxhallarë nga rrethi i Tetovës dhe Kaçanikut, përfaqësues të institucioneve të BFI-së dhe BIK-ut, si dhe familjarë, miq e dashamirë të shumtë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Në fillim të programit, hfz. Xheladin ef. Jusufi paraqiti ecurinë e provimit të hifzit dhe suksesin e treguar nga hafizja e re. Më pas, nikoqiri i manifestimit, Fidaim ef. Fazliu, në fjalën e tij u dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve, duke theksuar gëzimin e madh që përjeton familja Luma, si dhe mbarë xhemati i kësaj ane, me rastin e këtij suksesi të veçantë. Ai veçanërisht theksoi rëndësinë historike të kësaj dite për Glloboçicën, pasi, pas një periudhe shumë vjeçare këtij fshati i shtohet sërish një hafiz i Kur’anit, ndërsa hfz. Arlinda Nexhat Luma bëhet hafizja e parë femër e këtij fshati.
Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver Xhemaili, në fjalën e tij përshëndetëse, uroi hafizen e re, familjen Luma dhe muhafidhin e saj për këtë sukses të madh, duke vlerësuar përkushtimin, sakrificën dhe punën shumëvjeçare që qëndrojnë pas kurorëzimit të këtij rrugëtimi fisnik.
Fjalën e rastit e mbajti Reisul Ulema i BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili foli për rëndësinë dhe vlerën e hifzit, duke theksuar se mësimi përmendësh i Kur’anit Fisnik është një sakrificë e madhe, por njëkohësisht edhe një nder dhe privilegj i lartë.
Duanë e hifzit e bëri hfz. Xheladin ef. Jusufi, ndërsa programin e udhëhoqi sekretari i Myftinisë së Tetovës, Semir ef. Fazliji.
Në shenjë vlerësimi, hafizes së re iu dorëzua certifikata e hifzit, e cila do të shndërrohet në diplomë gjatë ceremonisë zyrtare të organizuar nga Rijaseti i BFI-së. Me këtë rast u ndanë edhe dhurata për hafizen dhe muhafidhin e saj.
Myftinia e Tetovës i dhuroi hfz. Arlinda Lumës një laptop, ndërsa muhafidhit të saj, hfz. Zulqufli ef. Asllani, iu nda mirënjohje për kontributin, përkushtimin dhe punën e tij në edukimin e hafizes së re. Një dhuratë për hfz. Arlindën kishte përgatitur edhe Këshilli i Xhamisë së Pashës.
Myftinia e Tetovës shpreh urimet më të përzemërta për hfz. Arlinda Nexhat Lumën, familjen e saj dhe muhafidhin hfz. Zulqufli ef. Asllani, duke e lutur Allahun e Madhërishëm që Kur’anin Fisnik ta bëjë dritë të jetës së saj, udhërrëfyes në rrugëtimin e saj dhe ndërmjetësues për të në Ahiret.
Allahu e begatoftë hafizen e re, ia shtoftë dijen dhe e ndihmoftë në vazhdimin e studimeve islame, duke e bërë prej atyre që e mësojnë, e jetojnë dhe ua përcjellin të tjerëve Fjalën e Tij të Shenjtë!
Urime hafizja e re! Urime familjes Luma, muhafidhit dhe mbarë xhematit!



